Kush ishte kryetari i parë i Bashkisë së Tetovës

by Shkupi Press  |  in Lajme at  8:39 AM

Prof. Dr. NEBI DERVISHI

Portret kushtuar Dr. Xhaferr Suljemnait (Efendiut) (1878-1953).Me rastin e dy përvjetoreve: 135 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorit të vdekjes
Me origjinë nga treva e Skraparit, por me shpirt atdhetari të harruar, mjek me profesionë, deputet, senator, kryetari i parë i Bashkisë së Tetovës në vitet 1941-1943, dhe i burgosur politik pas nëntorit të vitit 1944, personalitet i rrallë dhe i respektuar nga të gjithë banorët e Tetovës e më gjërë pa dallim kombësie e feje.
Në “biografin” e një kombi shfaqen për herë dy anë të qëndrueshme, dy anë që bien më shumë në sy në tërë rrjedhat e kohëve dhe që ne thelb bëjnë pjesën më të rëndësishme të historisë së ti. Trojet ku ngrihen strehët dhe përkunden djepat dhe mendjet e mëdha, që i japin emrin, tipare të veçanta, konfigurojnë forcën gjeneruese shpirtërore të atij populli.
Emrat e këtyre njerëzve renditen njëri pas tjetrit nëtër kohë, duke bërë në këtë mënyrë inventarin shpirtëror të kombit, sa më i pasur të jetë ai me këtë radhë emrash, aq më vital dhe i ngritur shfaqet ai në historinë e njerëzimit.
Por të kesh një pasuri të tillë është vetëm njëra anë. Është e domosdoshme të njihet ky lloj brumi që bënë pjesën më cilësore të ndërgjegjës së tij. Është produkt i gjeneratave të formuara nëpër kohë.
Një ndër këto pjella që renditet në radhët e emrave të dëgjuar të oxhakut të kombit tonë, që lind në Skrapar në vitet e formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, dhe nga 1908 deri sa vdes 1953 në Tetovë, ishte padyshim edhe Dr. Xhafer Sulejmani (Efendiu)- figurë atdhetare e humane e harruar shqiptare, por e nderuar nga banorët e Tetovës me rrethinë ( jo vetëm nga shqiptarët, në gjysmën e parë të shek. XX).
Vitit 2013 për Xhafer Sulejmani (Efendiu), shënon 135 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin e vdekjes, pa dyshim një figurë karizmatike tanimë të harruar atdhetare.
Mjeku e atdhetari i respektuar por i harruar gati tërësisht lindi në fshatin Sevra të Skraparit, në një familje më tradita atdhetare, të pasur, bujare, arsimdashëve dhe shumë të respektuar të kohës, në vitin e shenjtë 1878, të Lidhjes Shqiptarë të Prizrenit. Pas mbarimit të shkollës së mesme, studjoj në Universitetin prestigjiozë të Stambollit shkencat e mjekësisë. Në vitet e para të shek. XX, kryeministri i kohës në Perandorinë Osmane, zgjodhi një grupë studentësh elitarë ndër më të mirët, në mesin e të cilëve qe edhe Straparliu Dr. Xhaferri të cilët i dërgoi në studime më të thelluara në Paris, ku Dr. Sulejmani diplomoi me sukses në vitin 1905. Zotëronte dhe i shkruante gjuhën frënge, osmanishte dhe greqishten. Edhe studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Sorbonës, në Paris.
Pas diplomimit kthehet në vendlindje, ndërsa praktikën dy vjeçare e kreu në kryeqendrën e Vilajetit, në Janinë, qendër më rëndësi e kohës në fushën e kulturës, administratës, tregëtisë, etj. Ato vite krijon familje duke u martuar me vajzën Safije nga Përmeti që rridhte nga një familje me tradita dhe që shquheshin për bujarinë shqiptare.
Shpejt pas martesës, në rrethana të pasqaruara me bashkëshorten Dr. Xhaferri shpërngulet dhe punon për ca kohë në qytetin e Gostivarit si mjek. Në vitin 1908, doktori i ri përfundimisht vendoset me familje me qytetin e Tetovës, ku mbetet deri sa vdes, në vitin 1953.
Në qytetin e Tetovës punoi si mjek i parë i diplomuar. Paraardhjes së tij, në qytetin rrëzë Sharrit, nuk ka pasur mjek të nivelit të specializuar edhe atë që vinte nga një Universitet me tradita, si Sorbona.
Me bashkëshorten Safije patën 6 fëmijë, dhe familjarisht jetonin në një shtëpi, në pjesën më elitarë që qytetit të Tetovës, pranë lumit Shkumbin të kasabesë së Tetovës.
Në kohën e Luftrave Ballkanike, dhe në vitet e Luftës së Parë Botërore (1914-1918), dr. Xhaferri mobilizohet nga ushtritë okupuese dhe zihet robë lufte nga armiku.
Në fund të Luftës së Parë Botërore, përsëri nisi t’a ushtroi profesionin e mjekut, ndërsa në vititn 1922, emërohet mjek me honorarë në Gjimnazin e Tetovës.
Dr. Xhaferr Sulejmani në Tetovë formoi një rrjetë të gjërë miqësh dhe respektohej e nderohej ndër qytetarët elitarë. Me parinë e qytetit të Tetovës merrë pjesë në shumë shoqata bamirësie, si “Merhameti”, “Gajreti”, e të tjera.
Në cilësinë e qytetarit të respektuar, Dr. Xhaferin e ftonin në shumë konteste familjare, në pajtim gjaqesh e plagësh, në qytet e rrethinë, ku në të shumtën e rasteve fjala e tij peshonte shumë. Në profesionin e mjekut personalitetin e Dr. Sulejmanit e kanë shquar shumë vyrtyte, si humanizmi, bujaria tradicionale, përgatitja profesionale dhe çiltërsia shpirtërire me të sëmurët. Ndonëse nuk ka pasur mjete ndihmëse, instrumente të përfeksionuara mjeksore, ai me përvojën, intuitën dhe shkathtësinë profesionale, në çdo kohë e moment ka dhënë maksimumin në shërbim të hallexhinjëve dhe të sëmurëve. Me sjelljen e tij humane në medisin ku jetoi, veproi e punoi, ai gëzonte një dashuri të jashtëzakonshme. Mbarë popullata e trevës së Pollogut të Poshtë, pavarsisht nga përkatësia kombëtare ose fetare, Dr. Xhaferrin e kanë ç‘muar dhe dashur si mikun e vetë më të ngushtë.
Pasi u vendos përfundimisht me familje në Tetovë, Dr. Xhaferr Sulejmani e shoqërojnë shumë fatkeqësi. Në vitin 1926, papritmas i vdes djali i madh, Reshati në moshën 16 vjeçare. Ky pikëllim i ka tronditur të gjithë qytetarët e Tetovës, pasi që vdekjen e të riut e kanë përjetuar si të veten. Në fillim të viteve 40 të shek. XX, gjegjësisht në vititn 1941, familjen e Dr. Xhaferrit e godet edhe një tragjedi e radhës. Vajza e tij, Zehra, që ishte e martuar me sekretarin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Beograd Fehmi Beun me origjinë nga qyteti i Shtipit, më 6 prill 1941, së bashku me dy fëmijtë e saj humbin jetën tragjikisht gjatë bombardimit të Beogradit nga ushtria nazifashiste.
Edhe kjo tragjedi i tronditi jo vetëm familjen Sulejmani, por tërë qytetarët e Tetovës.
Në mes dy luftrave botërore Dr. Xhaferri u muar edhe me politikë. Në vitin 1927 zgjidhet deputet i Parlamentit në Beograd ku qëndroi deri në vitin 1931, ndërkaq një vjet më vonë, në vitin 1932, emërohet senator, të cilin funkcion e ushtron deri në vitin 1941.
Pas ardhjes së trupave italiane në “Tokat e Lirueme”, e në këtë kuadër edhe në Tetovë, Qeveria e Tiranës Dr. Xhaferr Sulejmanin në maj të 1941, e emëroi kryetar të Bashkësisë së Tetovës. Ishte kjo kohë në të cilën administrata zhvillohej në gjuhën shqipe. Në këtë detyrë ai mbeti deri në kapitulimin e Italisë, 8 shtator 1943. Edhe gjatë këtyre viteve ai tregoi vullnet dhe aktivitet të madh, si për mirëqënjen e popullit, shërbimin shëndetësor, përhapjen e arsimit me hapjen e rrjetit shkollor në gjuhën shqipe, ashtu edhe për mbrojtjen e dinjitetit të tij. Banorët e Tetovës në këto vite të Luftës së Dytë Botërore patën fatin që për kryetar Bashkie të ketë një personalitet të qytetëruar, një intelektual me kulturë oksidentale (perëndimore), i cili me mençuri, maturi e dituri e ushtroi këtë detyrë për të mirën e të gjithë qytetarëve.
Si në qytetet të tjera shqiptare, Strugë, Dibër, Kërçovë e Gostivar edhe në Tetovë, që së bashku gravitonin (hynin) në përbërjen e Prefekturës së Dibrës,më 28 Nëntor 1941, u kremtua festa e Ditës së Flamurit kombëtar. Që në orët e hershme të 28 nëntorit shqiptarët e Tetovës me rrethinë, nisën të tubohen në mënyrë të organizuar para sheshit, ku ishte caktuar edhe veprimtari i dalluar i këtyre trevave, kryebashkiaku skrapalli, por tani i “konvertuar në tetovarli”, Dr. Xhaferr Suljemani, i cili në mes tjerash do të deklaroi: “Tetova e shumë atdhetarëve, Tetova e Dervish Carës e të tjerëve, sot në këtë shesh është tubuar që të kremtojë ditën e flamurit, por në të njëjtën kohë jemi tubuar t’ua bëjmë me dije të gjithë pushtuesve të huaj se skanë çka të kërkojnë në Tetovë, se ky qytet ka qenë dhe do të jetë i Shqipërisë”.
Si njeri që dinte vlerën e arsimit, Dr. Xhaferr Sulejmani, u angazhua për kompletimin e shkollave në gjuhën shqipe me mësues të ardhur nga Shqipëria, që kishin kryer “Normalen” në Elbasan dhe në shkollën “Nëna Mbretërshë” në Tiranë, të cilët kontribuan në zgjimin e vetëdijes kombëtare e arsimore të popullit në Tetovë dhe më gjërë në trevat lindore shqiptare. Kjo ishte një nga periudhat e arta të arsimit në gjuhën amtare, që në këto treva u hapën shkollat për herë të parë.
Se sa me përkushtim ishte angazhimi e kujdesja e tij për arsimin në gjuhën shqipe, tregojnë faktet, se me angazhimin e tij personal, Dr. Xhaferr Sulejmani ua mundësoi nxënësve nga Tetova që të shkollohen në gjimnazin e Prishtinës dhe lirisht të kalonin vijën e demarkacionit bullgaro – shqiptar në Grupçin. Shpeshë herë, nxënësit që ishin materialisht të varfër, u ndihmonte personalisht me mjetet e tij financiare.
Dr. Xhaferr Sulejmani, i takon një meritë e veçantë, i cili e shpëtoi nga shkatërrimi objektin kulturo-fetarë të komunitetit bektashian Teqenë Arabati Baba.
Me angazhimin e tij personal, në këtë “objekt erdhi Baba Qazim Bakalli i cili vazhdoi traditën e këtij objekti kuluror-fetar. Për të kompletuar portretin modest, kushtuar Doktor Xhaferr Sulejmanit, kam shfrytëzuar pjesërisht të dhënat që kanë në punimet e tyre si: Dr. Rifat Palloshi, Prof. Dr. Masar Kodra, Prof. Dr. Fejzulla Shabani, Prof. Dr. Vebi Xhemaili, Prof. Ismet Krosi, Hamdi Aliti, përmbledhjen e punimeve “Tetovo i Tetovski vo NOV” (1991), etj. dhe ndonjë tjetër, që për arsye të hapsirës kërkoi ndjerë që nuk po i përmend. Për figurën emblematike dhe të harruar të Dr. Xhaferr Sulejmanit ende nuk është shkruar një monografi ose studim i plotë kushtuar këtij personaliteti me vyrtyte të lartë humane-njerëzore dhe atdhetare. Intelektualët Tetovarë, studjuesit dhe historianët, e pse jo edhe Komuna e Tetovës ia kanë për bonxh një monografi Dr. Xhaferr Sulejmanit – kryetarit të parë shqiptar të Bashkisë së qytetit të Tetovës për të gjitha sa kontriboi gjatë gjithë gjysmës së parë të shek. XX në Tetovë, megjithëse me origjinë ishte nga Erseka (Shqipëria juglindore).
Sipas njohurive që kemi, por jo të konfirumuara, Dr. Xhaferr Sulejmani ka pas mbajtur një ditarë kujtimesh. Ka të ngjarë pinjollët e familjes së tij, atë e ruajn si reliktë, por me vlera të mëdha, që fatkeqsisht e ka mbuluar pluhuri i harresës, ose ndoshta pas arrestimit nga falangat komuniste iu konfiskua edhe ditari me kujtime, në nëntor të vitit 1944.
Studjuesit sllavomaqedonë por edhe disa shqipëfolës tetovarë nuk rreshtën të përbaltin figurën e Dr. Xhaferr Sulejmanit. Sa për ilustrim do të përmendi Bora Mitrevskin dhe Z. Idriz Arsllanin.
I pari (Mitrevski) thekson: “… Menjëherë pas ardhjes së Birmanit në Tetovë, në krye të Gestopos (12 shtator 1943), në Tetovë nisën burgosjet dhe internimet me asistencën e Dr. Xhaferr Sulejmanit i cili edhe pas kapitulimit të Italisë (8 shtator 1943) mbeti kryetar i Bashkisë së Tetovës dhe së bashku me kapitenin e xhandarmërisë Esat Pagrin, i pregatitën listat e personave për pushkatim dhe internimi…”, dhe vazhdon: “Pas hyrjes së gjermanëve në Tetovë dhe gjendja politike në qytet u acarua. Me këtë nisi lufta në mes komitetit probullgarë (M. Sarafinov, T. Apostollov, Mijo Nishov, Nikolla Butika, etj.) dhe rrymës proshqiptare të kryesuar nga Shaip Kamberi, Jusuf Jahja, Dr. Xhaferr Sulejmani, etj., ithtarët e të cilëve pretendonin se cilit do t’i takojë Tetova, Bullgarisë apo Shqipërisë…” Xhaferr Sulejmani bashkëpunoi pas okupimit me pushtetin e Italisë dhe me shqiptaromëdhenjtë”.
I dyti (Idriz Arsllani) në mes tjerash do të shtojë: “Pas okupimit italian, shqiptaromëdhenjtë në Tetovë formuan pushtetin civil. Për kryetar komune qe zgjedhur Xhaferr Sulejmani. Ai ishte mik shumë i afërt i babait t’im. E njihja mirë dhe nuk ishte me orientim fashist. Përkundrazi e konsideronim për demokrat të madh, dhe për këtë arsye u habitëm së tepërmi kur dëgjuam se ai u vendua në atë funkcion me përgjegjësi. Gjykoj se ai qe i gënjyer nga fashistët që erdhën nga Shqipëria dhe nga vëllezërit Deralla…”
Aty nga mesi i muajit nëntor 1944, Komiteti nacional i Tetovës, me urdhër të Shaip Kamberit, i cili nuk dëshironte të derdhej gjaku midis shqiptarëve nacionalist dhe atyre komunistë, solli vendimin që luftimet të ndërpriten dhe qyteti i Tetovës t’u dorzohet komunistëve shqiptarë.
Sipas dëshmive takimi ëshë mbajtur në Spitalin e qytetit më 15 nëntor 1944. Kjo ishte në pajtim me Këshillin Vendor të PKM-së për Tetovë. Mbledhja ishte përgatitur nga Vera Tetova – drejtoreshë e Shkollës Buqësore ku merrnin pjesë Lutfi Rusi dhe Qemal Hajrullahu, kurse nga ana e Komiteti nacionalist për Tetovë merrnin pjesë: Qazim Lusha, Nexhbedin Besimi e Nevzat Roshi. Të dyja palët u dakorduan që Tetova të dorzohet pa luftë. Më 16 nëntor 1944, Tetova ishte e qetë, nuk kishte operacione luftarake dhe as krisma armësh.
Komiteti nacional pasi ia dorëzoi pushtetin komunistëve shqiptarë dhe atyre maqedonas, këto të fundit në pabesi më 16 nëntor e kapën Shaip Kamberin së bashku me Raif Aliun – kryetari i Komitetit për Tetovën. Shaip Kambetin e burgosën në shtëpinë e Efçevskit, pranë shkollës së Muzikës, rrugës që shpie nga fshati Poroj. Po ashtu u burgosën edhe disa udhëheqës të tjerë që përkrahnin forcat nacionaliste dhe nuk pranonin të dorzoheshin si Gajur Deralla, Emin Roshi, Kadri Saliu, Sami Jakupi, e sidomos Dr. Xhaferr Sulejmani, të cilin komandanti i xhandarmërsisë Qazim Lusha që ua dorëzoi qytetin partizanëve, arrestohet ose privohet nga liria dhe dënohet me 18 muaj burgim. Në mungesë të mjekëve në atë kohë, ai lirohet me kusht dhe për disa kohë (muaj) punon në spitalin e atëhershëm që ishte i vendosur në qendrën e kadastrës së atëhershme.
Në vitin 1946, Dr. Xhaferr Sulejmani përsëri burgoset në moshën 68 vjeçare dhe dënohet me 6 vjet burg të rëndë, dënim të cilin e vuan në burgun e Shkupit dhe Idrizovës. Me siguri të plot mund të thuhet se gjykimi i tij ka qenë një proces (farsë) e montuar sipas skenarëve të njohura sllavo-komuniste. Gjatë zhvillimit të procesit, gjyqësor, Dr. Xhaferr Sulejmani mbajti qëndrimin burrëror duke i hedhur poshtë të gjitha akuzat. “Të vetmit dëshmitarë kundër tij kanë qenë Dushan Tërpçevski dhe Sllavka Jovanovska”, – thekson një pinjolle e doktorit.
Në burgun e Idrizovës punon si mjek, por edhe nga kjo detyrë largohet meqë nuk pranon t’u nënshtrohet urdhëresave të eprorëve të burgut, e të bëjë dallime në mesin e të burgosurve. Ai ka qenë i nderuar edhe nga popullata sllavomaqedone e kësaj ane, sepse njihej si njeri me karakter, me vyrtyte të larta njerëzore dhe humane, të cilat i dëshmoi deri në fund të jetës së tij. Pas katër vjetë vuajtje të dënimit me burgë, në vititn 1950, në moshën 72 vjeçare për shkak të shëndetit të dobët, lirohet nga burgu, kur tanimë, në ndërkohë i kishte ndërruar jetë edhe bashkëshortja Safija, e cila fatkeqësi e tronditit shumë shpirtin e trazuar, si dhe e dëshpëroi teje mase sepse e kishte bashkëudhëtare të denjë në jetë.
Tre vjet më vonë, respektivisht në vititn 1953, Dr. Xhafer Sulejmani ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare dhe u varros në varrezat e qytetit të Tetovës me nderime e respekte nga bashkëqytetarët e tij.
Ky portret modest kushtuar Dr. Xhaferr Sulejmanit, me rastin e dy përvjetorëve: 135 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorit të vdekjes, janë thellësisht i bindur se është mangët, sepse në vete ngërthen dhe gërshetohet me shumë të panjohua, si:
- Pse erdhi Dr. Xhaferr Sulejmani në Tetovë; A ishte ai nismëtari dhe themeluesi i klubit “Bashkimi” në Tetovë nëntor 1908; Në ç‘nivel ishte bashkëpunimi me Dervish Himën – njëri nga krerët dhe kolosët e Rilindjes Kombëtare; A bashkëpunoi Dr. Xhaferr Sulejmani me Organizatën “Besa”; A ishte anëtar i NDSH-së, etj. etj.
Ndaj mendimin, dhe thellësisht jamë i bindur se këto dhe shumë çështje të tjera, në një të ardhme shumë të afërt, duke shfrytëzuar dokumentet arkivore që i ka mbuluar pluhuri i harresës si dhe duke shfrytëzuar literaturën relevante do të shtjellohen në një monografi.
Të shpresojmë!!!
Marrë nga Gazeta Lajm

Proudly Powered by Blogger.