As të theksuara, as të padobishme



Kështu pra, qoftë edhe më këqyrjen e ndonjë pjese të vetme të një libri klasik, ne vëmë re se burimet e rrëfimtarisë, që në të shumtën e herës shembëllejnë me shpikje moderne nga përdorimi largpamës që u bëjnë shkrimtarët bashëkohorë, i përkasin në të vërtetë trashëgimisë romanore, sepse romancierët klasikë i kanë përdorur ato më parë me shumë lirshmëri.

Ajo çka kanë bërë modernët, në shumicën e rasteve, është se kanë lëmuar, kanë tëholluar e zbatuar mundësi të reja, strukur thellë nëpër sisteme rrëfimtare, behur shpesh e më shpesh nga shfaqjet më të moçme shkrimore të trillimtarisë. Në fakt, elementet “e mia” të fshehura nuk janë as të theksuara, as të padobishme, ato luajnë rol të posaçëm për rrëfimin.

Mario Vargas LLOSA


Ndoshta, më i shquari element i romanit është pikërisht ai që hasim te Faltorja e llahtarshme e Faulkner-it, ku “krateri” i rrëfenjës – zhvirgjërimi i rioshes dhe mendjelehtës Temple Drake nga Popeye, horr i zgërlaqur i krisur, me anë të një kalliri misri – është zhvendosur dhe shkrirë në grimca të dhënash, të cilat e shtyjnë lexuesin, ca nga ca e duke shtegtuar në të shkuarën, të bëhet i vetëdijshëm për ngjarjen e lemerishme.
Kjo heshtje e krupshme e pushton mjedisin ku llokoçitet Faltorja: atmosferë egërsie, dhune seksuale, drithërime, paragjykimesh e primitivizmi që i jep Jeferson-it, Memphis-it dhe viseve të tjera të rrëfenjës, karakterin simbolik të universit të së keqes, të zhbërjes së njeriut dhe të rënies së tij, në kuptimin biblik të fjalës. Më shumë sesa një shkelje e ligjeve, përshtypja që na mbetet duke lexuar lebetitë e këtij romani – përdhunimi i Tempullit nuk është gjë para tyre, pasi ka, për më tepër, varje, shkrumbim në zjarr, vrasje të ndryshme dhe një mori e shumëllojshme rëniesh morale – është pra, përshtypja e ngadhnjmit të fuqisë së errët, e një disfate të së mirës përmes një trandeje të përgjithshme plasaritëse, që ia ka dalë mbanë të mbërthejë mbarë tokën.
Gjithë Faltorja përbëhet nga elemente të fshehura. Përpos përdhunimit të Temple Drake, fakte po aq të rëndësishme sa vrasja e Tommy-t dhe e Red-it a pafuqia e Popeye-it, janë së pari heshtje, heqje që i zbulohet lexuesit vetëm retrospektivisht. Ky i fundit, në këtë mënyrë, falë këtyre elementeve të fshehura si hiperbolat, e kupton saktësisht se çfarë ngjet dhe ndërton kronologjinë e njëmendtë të ngjarjeve. Faulkner-i jo vetëm këtu, por në të gjitha veprat e veta qe gjithashtu, një mjeshtër i përkryer i elementit të fshehur... Kështu pra, qoftë edhe më këqyrjen e ndonjë pjese të vetme të një libri klasik, ne vëmë re se burimet e rrëfimtarisë, që në të shumtën e herës shembëllejnë me shpikje moderne, nga përdorimi largpamës që u bëjnë shkrimtarët bashëkohorë, i përkasin në të vërtetë trashëgimisë romanore, sepse romancierët klasikë i kanë përdorur ato më parë me shumë lirshmëri. Ajo çka kanë bërë modernët, në shumicën e rasteve, është se kanë lëmuar, kanë tëholluar e zbatuar mundësi të reja, strukur thellë nëpër sisteme rrëfimtare, behur shpesh e më shpesh nga shfaqjet më të moçme shkrimore të trillimtarisë.

* * *
Para se ta përfundoj këtë letër, ndoshta do t’ia vlente barra qiranë të bëhej një përsiatje e përgjithshme, e vlefshme për të gjitha romanet, mbi një karakteristikë të lindur të gjinisë, nga ku buron mënyra e kutisë kineze.
Pjesa e shkruar e çdo romani është vetëm një grimë a një pjesëz e ngjarjes së rrëfyer: kjo e shtjelluar në tërësinë e saj, me grumbullimin e të gjithë përbërësve të vet pa përjashtim – mendime, gjeste, sende, të dhëna kulturore, materiale historike, psikologjike, ideologjike, etj. etj., që hamendëson e përmban historia “tërësore” – përfshin një lëndë pafundësisht më të gjerë, sesa ajo e dhënë haptas në tekst dhe që asnjë romancier, qoftë edhe më fjalëshumi e i rrëmbyeri, nuk do të qe në gjendje ta shpaloste. Për të nëvizuar këtë karakter pashmangësisht të pjesshëm të çdo ligjërimi rrëfimtar, romancieri Claude Simon, të cilit ia kish ënda të qëndiste ngrefosjet e letërsisë “realiste” për të riprodhuar realitetin, përdorte një shembull: përshkrimin e një pakete cigaresh “Gitanes”. “Cilat elemente duhen përfshirë në këtë përshkrim që ai të jetë realist?”, pyeste Simon-i. Afërmendsh që përmasa, ngjyra, përmbajtja, shkrimi nëpër kapakë, vetë lënda e paketës. A do të qe vallë kjo e mjaftueshme?
Në një kuptim përplotësor, kurrsesi. Do të duhej gjithashtu, për të mos hequr a cënuar asnjë element me rëndësi, që përshkrimi të përmbante të dhëna sa më të hollësishme për mënyrat industriale të prodhimit të kësaj pakete dhe të cigareve që kishte ajo, madje (pse jo?) për sistemet e shpërndarjes dhe të tregtimit që i përcillnin nga prodhuesi deri te konsumatori. Mos vallë përshkrimi “përplotësor” i paketës së cigareve “Gitanes” do të merrte fund me kaq? Sigurisht që jo. Konsumi i cigareve nuk përbën një fakt të veçuar, ai rrjedh nga përparimi i zakoneve dhe i rrënjosjes së modave, lidhet ngushtësisht me historinë shoqërore, me mitologjinë, politikat, mënyrat e jetesës së shoqërisë. Nga një anë tjetër, bëhet fjalë për një praktikë, zakon a ves, tek i cili reklama dhe jeta ekonomike ushtrojnë një ndikim vendimtar dhe që përçon efekte të përcaktuara në shëndetin e përdoruesit. Nuk është, pra, e vështirë të nxirret përfundimi, duke e shtyrë këtë shpallim gjer në caqet e absurdes, që përshkrimi i çdo objekti, edhe i më të papërfillshmit, i shtrirë në një rrafsh përplotësor, çon thjesht e qartas te ky pretendim utopik: përshkrim i mbarë gjithësisë.
Pa dyshim që, po kështu, mund të flitej edhe për trillimtarinë. Në qoftë se një romancier, në çastin kur nis e shtjellon një rrëfenjë, nuk do të vetëmjaftohej me një mori caqesh (e thënë ndryshe, nëse ai nuk do të pranonte t’i fshihte disa elemente), atëherë rrëfenja nuk do të kishte as kokë, as bisht, nuk do të mundte kurrsesi të ndërthurej me të gjitha rrëfenjëzat, për t’u bërë ajo përplotëri magjiplote, univers i pafund përfytyror, ku bashkëjetojnë, lidhur thellësisht vetiu, të gjitha trillimtaritë.
Kështu pra, nëse pranojmë mendimin që një roman – a më mirë të themi, një trillim i shkruar – është vetëm pjesëz e rrëfenjës plotësore, së cilës romancieri gjendet fatalisht i shtrënguar t’i krasitë elemente të panumërta, të tepërta a që mund të lihen mënjanë, paçka se të ndërdukshme në ato çka ai shtjellon haptas, lipset medoemos të dallohen këto elemente të përjashtuara, meqenëse të paspikatura a të padobishme janë elemente të fshehura, të cilave u bën jehonë kjo letër. Në fakt, elementet “e mia” të fshehura nuk janë as të theksuara, as të padobishme.
Përkundrazi, ato janë funksionale, luajnë rol të posaçëm në thurimën rrëfimtare dhe, pikërisht për këtë, shuarja e zhvendosjes së tyre përçon ndikesa në rrëfim, duke kumbuar bujshëm kah anekdota a te pikëpamjet.

* * *
Më së fundi, do të ma kishte fort ënda t’ju përsëris një krahasim, që e kam bërë hera-herës, duke përsiatur për Faltoren e Faulkner-it. Le të themi që rrëfenja “e plotë” e një romani (e përbërë nga elemente të përfshira a të hapura) është një kub. Dhe që çdo roman i veçantë, me t’u qëruar elementet e tepërta e ato të hequra shpengueshëm, për të përfituar një efekt të përcaktuar, të nxjerrë nga ky kub, merr një trajtë të përcaktuar: ky objekt, kjo skulpturë, pasqyrojnë origjinalitetin e romancierit. Trajta e tij është gdhendur me ndihmën e mjeteve të ndryshme, por pa as më të voglin dyshim, njëri nga më të përdorurit e tejet i vlefshëm për këtë punë, ai i tëharrjes së përbërësve, gjersa ravijëzohet profili i figurës së hijshme e bindse që na bën për vete, është pikërisht elementi i fshehur (nëse nuk keni ndonjë emër tjetër më ngasës, për t’i vënë këtij mjeti).


Përktheu Luan Canaj