KRIZA LINDORE DHE LUFTA E KRIMESË (1853-1856)

by Shkupi Press  |  in Histori at  3:54 PM

Xhelal Zejneli


Aneksimi i Krimesë nga Rusia sot të përkujton Krizën lindore të viteve ’50 të shek. XIX.

Çështja e Krimesë është çështje gjeopolitike

Kriza u shkaktua si rrjedhim: i shthurjes së mëtejshme të Perandorisë Osmane;  i kontradiktave midis Fuqive të Mëdha – Rusisë, Anglisë dhe Francës për t’u shtrirë në zotërimet turke; si dhe i forcimit të lëvizjeve çlirimtare të popujve të Ballkanit.
Kriza lindore e viteve ’50 të shekullit XIX çoi në Luftën e Krimesë që filloi në vitin 1853 e që përfundoi më 1856. Kjo luftë u zhvillua midis Rusisë cariste, nga njëra anë dhe aleancës të përbërë nga Anglia, Franca dheTurqia, me të cilat u bashkua edhe Mbretëria e Sardenjës, nga ana tjetër.  Në këtë luftë francezët dhe anglezët mbështetën Turqinë kundër Rusisë cariste. Karakteristike për këtë luftë  janë vendimet katastrofike të kuadrit komandues të Aleancës si dhe logjistika e dobët e të gjitha palëve ndërluftuese, gjë që pati për pasojë humbjet e mëdha që nuk kishin të bënin me operacionet luftarake.
Shkas për shpërthimin e Luftës së Krimesë, ishte kontesti fetar që arriti kulmin në vitet ’50 të shekullit XIX, i cili shumë shpejt u shndërrua në konflikt të armatosur. Sipas traktateve në fuqi të asaj kohe, të miratuara në shekullin XVIII, mbrojtëse e katolikëvenë territorin e Perandorisë Osmane ishte Franca, ndërsa e besimtarëve ortodoksë- Rusia. Klerikët katolikë dhe klerikët ortodoksë në Perandorinë Osmane kanë qenë në konflikt permanent. Konflikti kishte të bënte me ushtrimin e të drejtave mbi Kishën e lindes së Krishtit dhe mbi Kishën e ringjalljes së Krishtit në Palestinë. Në fillim të viteve ’50 të shekullit XIX, të dyja palët ia parashtruan Portës kërkesat e veta, por Sulltani nuk kishte mundësi  të gjente një zgjidhje që do t’i kënaqte të dyja palët. Në vitin 1853, Porta mori një vendim që ishte në dobi të francezëve, gjë që në radhët e klerikëve ortodoksë vendorë ngjalli pakënaqësi të mëdha.
Cari rus Nikolla I e dërgoi në Stamboll diplomatin e vet Princ Menjshikovin në një mision special.
Sipas traktateve që ishin në fuqi, Sulltan Abdylmexhidi e kishte për detyrim të mbronte fenë krishtere dhe kishat e saj”, por Menjshikovi u përpoq të imponojë një traktat të ri sipas të cilit Rusisë do t’i lejohej të ndërhynte, gjithmonë kur të konsideronte se mbrojtja e besimtarëve ortodoksë nga ana e Portës - është e pamjaftueshme.
Në të njëjtën kohë, edhe qeveria angleze e dërgoi në Kostandinopojë diplomatin Lord Stratford, i cili sapo mbërriti, mësoi për praninë e Menjshikovit si dhe për qëllimet e tij. Me veprime diplomatike mjeshtërore, Lordi Stratford arriti ta bindë Portën që ta hedhë poshtë traktatin e propozuar nga diplomati rus, me arsyetimin se ishte në kundërshti me interesat e Turqisë.
Me të mësuar për dështimin e misionit të diplomatit rus të dërguar në Portë, perandori rus u dha urdhër forcave ushtarake të marshojnë drejt Principatave të Danubit ( Moldavisë dhe Vllahisë). Në këto dy  zotërime turke, Rusisë i njihej statusi i kujdestarit të besimtarëve ortodoksë. Pretekst për këtë ndërhyrje ushtarake ishte “dështimi i Portës për ta zgjidhur kontestin rreth vendeve të shenjta”. Duke pasur parasysh rolin e Rusisë në shuarjen e revolucionit të vitit 1848, Nikolla I konsideronte se aneksimii këtyre provincave që ishin nën zotërimin e Turqisë, nuk do t’i shqetësonte gjithaq Fuqitë e Mëdha. 
Ndaj dërgimit të forcave ushtarake ruse në Moldavi dhe në Vllahi, Anglia nuk ndenji duarkryq.  Për të siguruar stabilitetin e Perandorisë Osmane, Londra e dërgoi flotën e vet në Dardanele, ku iu bashkëngjit edhe flota franceze. Përkundër keqësimit të raporteve, fuqitë evropiane ende shpresonin se mund të arrihet një kompromis diplomatik. Përfaqësuesit e katër Fuqive të Mëdha asnjanëse – Anglisë, Francës, Austro-Hungarisë dhe të Prusisë u takuan në Vjenë ku miratuan notë që do të ishte e pranueshme, si për Rusinë, ashtu edhe për Turqinë.
Perandori rus Nikolla I e pranoi notën, por Sulltan Abdylmexhidi I e refuzoi atë, duke e konsideruar si një dokument të formuluar keq dhe të dykuptimtë. Për të qenë nota e propozuar e pranueshme edhe për  Portën, Anglia, Franca dhe Austro-Hungaria  propozuan disa amendamente. Por propozimi i tyre u injorua nga oborri rus. Anglia dhe Franca hoqën dorë nga bisedimet e mëtejme, ndërsa Austro-Hungaria dhe Prusia konsideronin se refuzimi i amendamenteve të propozuara nuk e arsyeton ndërprerjen e veprimeve diplomatike për të gjetur zgjidhje.
Sulltani zgjodhi luftën, ndaj ushtritë e tij e sulmuan ushtrinë ruse në afërsi të Danubit. Car Nikolla sulmit iu përgjigj me flotën ruse. Në betejën afër Sinopit, më 30 nëntor 1853 flota turke u shkatërrua tërësisht. Kjo bëri të mundur zbarkimin dhe furnizimin e forcave ruse, kudo në brigjet detare të Turqisë. Asgjësimi i flotës turke dhe rreziku nga vazhdimi i ekspansionit rus shqetësoi Anglinë dhe Francën, të cilat dolën në mbrojtje të Perandorisë Otomane. Në vitin 1854, Rusia injoroi ultimatumin anglo-francez që të tërhiqet nga Principatat e Danubit. Pas kësaj, Britania e Madhe dhe Franca i shpallën luftë Rusisë.
Ndërkohë,  u ndërmorën edhe veprime diplomatike paqësore. Cari rus Nikolla pandehte se Austro-Hungaria, në shenjë falënderimi për ndihmën e ofruar me rastin e shuarjes së revolucionit të vitit 1848, do të mbajë anën e Rusisë, ose së paku do të qëndrojë asnjanëse.  Mirëpo Vjena, praninë e  trupave ruse në Principatat e Danubit e shihte si rrezik për interesat e veta. Kur Britania e Madhe dhe Franca kërkuan tërheqjen e trupave ruse nga këto principata, Austro-Hungaria e mbështeti kërkesën e tyre. Edhe pse nuk i shpalli luftë Rusisë, ajo refuzoi të mbetet asnjanëse.  Më 1854 Austro-Hungaria e përsëriti kërkesën për tërheqjen e trupave ruse. Nga frika e një lufte të mundshme me Austro-Hungarinë, Rusia i tërhoqi forcat ushtarake nga Principatat e Danubit.
Kur Rusia i tërhoqi trupat nga Principatat e Danubit, shkaqet e fillimit të luftës tashmë ishin harruar. Megjithëkëtë, Britania e Madhe dhe Franca nuk i ndërprenë armiqësitë ndaj Rusisë. Për ta shmangur kërcënimin permanent të Rusisë ndaj Perandorisë Osmane, Londra dhe Parisi ishin vendosur  ta zgjidhin çështjen lindore. Për t’u dhënë fund armiqësive, aleatët i caktuan Rusisë disa kushte:  
- të heqë dorë nga protektorati i saj mbi Principatat e Danubit;
- të heqë dorë nga çfarëdo e drejte për t’u përzier në punët e brendshme të Perandorisë Osmane, nën pretekstin e mbrojtjes së popullsisë ortodokse;
- Konventa për ngushticat, e vitit 1841 të ndryshohet; dhe  
- të gjitha vendeve t’u lejohet ta shfrytëzojnë Danubin.

Duke qenë se perandori rus refuzoi t’i pranojë këto katër pika, Lufta e Krimesë vazhdoi. Edhe pse shkaku kryesor i fillimit të luftës pushoi së ekzistuari, në muajt që pasuan, trupat aleate filluan të zbarkojnë në Rusi, në gadishullin e Krimesë. Me këtë rast e rrethuan edhe Sevastopolin, port i fortifikuar  dhe vendlindje e perandorit rus.  Ky ishte porti amë i flotës ruse në Detin e Zi, që paraqiste kërcënim për interesat e aleatëve në Mesdhe. Pas një sulmi të përgjithshëm që u ndërmor në verë të vitit 1855 mbrojtja ruse thye dhe Sevastopoli ra. Londra ishte për një fitore dramatike ndaj rusëve.  Parisi tha se nderi i aleatëve perëndimorë plotësisht është ruajtur dhe se në Ballkan mund të arrihet një paqe e përhershme. Po atë vit (1855) rusët pushtuan qytetin turk Kars.
Me nismën e Aleksandrit III i cili e trashëgoi fronin e Nikollës I, më 1856 filluan bisedimet e paqes.  Me Traktatin e Parisit (30 mars 1856)  do nga katër pikat e sipërthëna u miratuan pjesërisht.  Privilegjet ruse ndaj Principatës së Danubit kaluan në duart e Fuqive të Mëdha. Luftanijet e asnjë vendi s’kishin të drejtë të hynin në  Detin e Zi.  Në përputhje me këtë, Turqia dhe Rusia arritën marrëveshje që të mos ndërtojnë porte të reja ushtarake, as të vendosin arsenale luftarake në brigjet e këtij deti.
Klauzola që kishte të bënte me Detin e Zi, me të madhe e zvogëloi rrezikun që paraqiste Rusia ndaj Perandorisë Osmane, e që manifestohej nga forca dhe prania e flotës së saj në Detin e Zi. Përveç kësaj, Fuqitë e Mëdha morën përsipër se do të respektojnë pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Perandorisë Osmane.
Traktati i Parisit ishte në fuqi deri në vitin 1871, kur Franca pësoi disfatë në luftën pruso-franceze. Prusia dhe shtetet e tjera gjermane u bashkuan dhe formuan një perandori gjermane të fuqishme, ndërsa perandori francez Napoleoni III ishte i detyruar të lejojë krijimin e Republikës së Franceze. Gjatë qeverisjes së tij që filloi në vitin 1852, Napoleoni III, për të siguruar mbështetjen e Anglisë, iu kundërvu qëndrimeve të Rusisë ndaj çështjes lindore.
Duke marrë parasysh faktin se ndërhyrja  e Rusisë në punët e brendshme të Perandorisë Osmane   nuk i rrezikonte interesat franceze, pas vendosjes së republikës, Franca e ndryshoi qëndrimin ndaj Rusisë. E trimëruar nga ky qëndrim i Francës dhe me mbështetjen e Oto fon Bizmarkut, klauzolën për Detin e Zi Rusia e shpalli të pavlefshme. Duke qenë se Anglia nuk kishte fuqi që klauzolën ta mbajë në jetë vetë,  Rusia përsëri e formoi flotën vet në Detin e Zi.
Lufta e Krimesë shkaktoi eksodin masiv të tatarëve të Krimesë, të cilët kërkuan strehim në Perandorinë Osmane. Si pasojë, numri I banorëve të gadishullit u pakësua dukshëm. Tatarët e Krimesë u shndërruan në pakicë në vendin e vetë.
*   *   *

Gjatë Krizës lindore Mali i Zi, Serbia dhe Greqia u rreshtuan në anën e Rusisë sllave dhe kundër aleatëve perëndimorë dhe Turqisë. Këto tre vende ballkanike ndërmorën sulme ndaj tokave shqiptare. Sulmet e qeverisë greke në krahinat jugore të Shqipërisë, ishin hap i parë i andartëve drejt realizimit me forcë të Megali Idesë. Ngjarjet e viteve 1853-1854 ishin prologu i politikës së fqinjëve ballkanikë për copëtimin e trojeve shqiptare që u konkretizua në marrëveshjet e fshehta të viteve ’60. Krizën e krijuar nga Lufta e Krimesëe shfrytëzuan edhe Austria me Francën. E para e detyroi Perandorinë Osmane të pranonte më 1853 ngritjen e një seminari të jezuitëve në Shkodër dhe disa vjet më vonë themelimin e Kuvendit Françeskan. Franca ndërkaq synonte të ushtrojë ndikim  në Mirditë.  

Proudly Powered by Blogger.